Transmetuar më 07-01-2020, 10:58

“Deri javën e shkuar, për 30 vjet me radhë, për të marrë një dëshmi penaliteti, aplikohej në postë, me një pagesë 430 lekë”.

Kështu shkruan Kryeministri Edi Rama i cili thotë se aplikimi shkonte tek zyra e gjendjes gjyqësore, ku bëheshin verifikimet për rreth 15 ditë mesatarisht dhe më pas, dëshmia i dërgohej qytetarit prapë në postë, ku ai duhet të shkonte përsëri për ta marrë.

Rama thotë se çdo ditë kryhen mesatarisht 400 aplikime të tilla, pra 12 mijë qytetarë në muaj shkonin mbanin radhë në postë, një herë për ta kërkuar dhe një herë për ta marrë dëshminë.

Ai bën me dije se sot ky shërbim kryhet me zero lekë, përmes smartfonit apo kompjuterit, duke hyrë në portalin e-albania, ku brenda 6 ditësh vjen edhe përgjigja me vulë elektronike.

“Revolucion digjital 2020, shërbime publike, pa radhë, pa rryshfet, pa ecejake. Administrata në këmbë për qytetarin, jo më qytetari në këmbë për administratën. Shqipëria që duam”, thotë në mbyllje Rama. /a.y/noa.al