Transmetuar më 07-01-2020, 10:30
Foto ilustruese

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Start one” ka vënë në pranga dy persona palestinezë të dyshuar për vjedhje.

Efektivët e komisariatit Nr. 3, pas kallëzimit të bërë nga pronarja e një dyqani të vjedhur në Rrugën e Durrësit, mbi bazën e informacioneve të grumbulluara dhe një pune disaditore, kanë organizuar dhe finalizuar operacion policor duke arrestuar të dyshuarit.

Bëhet fjalë Y. L., 26 vjeç dhe O. E., 24 vjeç, lindur në Palestinë dhe banues në Tiranë.

Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë A. B., 18 vjeç, lindur në Palestinë dhe banues në Tiranë.

Në bazë të hetimeve dhe të provave materiale, pamjeve filmike dhe dëshmi, rezulton se tre palestinezët janë autorë të disa vjedhjeve të ndodhura gjatë ditëve të para të muajit janar 2020 dhe konkretisht:

– Më 2 janar, në një bar kafe, në rrugën “Zenel Baboci” kanë vjedhur një sasi lekësh dhe pije alkoolike.

– Më 6 janar, në një dyqan, në Rrugën e Durrësit, kanë vjedhur rroba të ndryshme.

– Më 6 janar, në një farmaci, në Rrugën e Kavajës kanë vjedhur telefon.

– Më datë 6 janar, në ambientin e një pastiçerie, në rrugën “Ibrahim Rrugova” kanë vjedhur aparat celular dhe një portofol.

Aktualisht vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera, të cilat dyshohet se janë kryer nga të dyshuaritt, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Vjedhja” më shumë se një herë . /a.y/noa.al