Transmetuar më 06-01-2020, 21:03

Sot ishte ditëlindja e Fan Stilian Nolit, figurë e shquar e letrave shqipe, patriot dhe politikan, i cili tërë jetën ia kushtoi atdheut.  Ai lindi më 6 janar 1882 në Ibriktepe, Turqi, dhe vdiq më 13 mars 1965, në SHBA.

Elisa Spiropali, Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, si dhe deputete e PS-së në Kuvendin e Shqipërisë, ishte nga të paktat politikane që ka kujtuar ditëlindjen e Nolit, duke publikuar një foto të rrallë të tij, si dhe kishte shkruar një status në Facebook.

“F.S.Noli, Social-demokrat, armik i feudalizmit, ithtar i progresit përmes punës, themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale, erudit, poet, përkthyes kryeveprash, lindi më 6 Janar, rron gjithmonë”, ka qenë mesazhi i Spiropalit.

Sakaq,ka një debat lidhur me figurën e Nolit. Ai vlerësohet gjerësisht nga shqiptarët si publicist, letrar, përkthyes, historian, sepse la pas vepra të pavdekshme. Por  si politikan nuk ka marrë ndoshta asnjëherë vlerësimet, madje thuhet se dështoi, pasi qëndroi kryeministër vetëm 6 muaj dhe pas revolucionit të Qershorit 1924, u detyrua të largohej dhe ta kalonte pjesën tjetër në mërgim.

Por para se të bëhej kryeministër, një pjesë nga fjalimi i mbajtur nga Fan S. Noli në parlamentin shqiptar 1924, qarkullone dhe sot, gjerësisht, ndryshe nga fjalimet e deputetëve të sotëm, ku ai vikte pikat mbi “i”, mbi situatën në Shqipëri, që duket realet edhe sot, 100 vite pas atij fjalimi.

Fjalimi i Nolit në Kuvend, si opozitar:   

E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme, që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku. Kini një shembull të bukur në Partinë Popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve dhe oxhakët më të vjetër, kur anëtarët e kësaj partie lëvdohen që kanë shpëtuar prej bejlerëve.

E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë lëftuar për “harfet” e për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për të shkreptuar anembanë Toskërinë; këtu, si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu tradhëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet janë të errëta, të shtrembëra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve.

Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.

Herodoti na tregon se në betejën navale të Selaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa i prenë kokën.

Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin…”

/NOA.al