Transmetuar më 06-01-2020, 17:23

Kryedemokrati Lulzim Basha ka mbledhur sot grupin e punës për Reformën Zgjedhore, që është një prej prioriteteve të PD-së.

Burime të besueshme nga mbledhja e kreut të opozitës me përfaqësuesit demokratë të grupit të punës thanë se pritet që së shpejti Partia Demokratike të bëjë publike propozimet e veta për Reformën Zgjedhore, që do t’i hapin rrugë një debati dhe konsultimi publik, raporton BW.

Me propozimet konkrete për reformën zgjedhore, Partia Demokratike synon të nxjerrë në pah edhe angazhimin e opozitës përballë mungesës së vullnetit të Edi Ramës për të miratuar me konsensus një reformë zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Basha dhe aleatët e tij e kanë konsideruar Reformën Zgjedhore si një rrugë të sigurtë, e cila do të sjellë zgjedhje të lira e të ndershme.

Reforma Zgjedhore është një nga nëntë kushtet e Bundestagut për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.  Bundestagu ka kërkuar që Reforma Zgjedhore të kryhet me përfshirjen dhe konsensusin e të gjitha palëve politike, por Partia Demokratike dhe opozita thonë se këtë po e pengon kryeministri Rama. /noa.al/