Transmetuar më 29-12-2019, 20:57

Autoritetit Italian të Aviacionit Civil (ENAC), i pezullon licencën e fluturimeve kompanisë ajrore Fly Ernest.

Nëpërmjet një deklarate për mediat bëhet me dije se duke nisur nga 13 janari 2020, do të hyjë në fuqi pezullimi.

Ky afat është lënë, me synim dhënien kohë kompanisë për të njoftuar udhëtarët lidhur me fluturimet për të cilat është prerë biletë udhëtimi.

Shkak për marrjen e këtij vendimi nga Autoritetit Italian të Aviacionit Civil, janë bërë vonesat në fluturimet e linjës Shqipëri-Itali dhe Shqipëri-Ukrainë.

Aviacioni Civil Italian shpjegon se kjo kompani fluturimesh vononte fluturimet për pasagjerët si dhe ngatërronte destinacionin e tyre.

Gjithçka pa i dhënë në këmbim asnjë lloj dëmshmërblimi financiar dhe pa garantuar mbërritjet e tyre në destinacionin e prenotuar.

Kjo ka bërë që qytetarë të shumtë të mbeten në aeroporte për disa ditë, duke humbur prenotimet.

Edhe pse licenca e kompanisë mbetet në fuqi deri më 13 janar 2020, duke marrë parasysh festat në Shqipëri dhe Ukrainë, “Ernest” nuk do mund të nxjerrë më bileta në shitje. ENAC gjithashtu vlerëson se lejimi i licencës deri në 13 janar nuk rrezikon sigurinë në operim të kompanisë.

Gjatë kësaj kohe, nëse transportuesi siguron elementët e garancisë të kërkuara nga Rregullorja (KE) nr. 1008/2008, që përmban rregulla të përbashkëta për ofrimin e shërbimeve ajrore në Komunitetin Evropian dhe këto elementë vlerësohen në mënyrë të favorshme nga ENAC, masa e pezullimit mund të revokohet.

Nga ana e tij, Autoriteti i Avicionit Civil Shqiptar, ka vendosur menjëherë kontaktin me autoritetin italian, për të marrë më shumë informacion për situatën e krijuar dhe për planin e kompanisë për mbrojtjen e pasagjerëve që mund të preken.

AAC i bën apel të gjithë qytetarëve që mund të kenë prerë bileta me këtë kompani ajrore, që të konfirmojnë statusin e fluturimit të tyre me kompaninë ose agjencinë e biletës para ditës së fluturimit. /a.y/noa.al