Transmetuar më 05-12-2019, 14:39

Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama iu kundërvu sërish Prokurorisë duke thënë se nuk informon publikun mbi pasojat e tërmetit dhe iu referua protestave të opozitës.

"Jo vetëm që nuk është prezente në detyrimin kushtetues për të informuar publikun për gjithçka lidhet me pasojat dhe shkaqet që çuan në këtë situatë të rëndë, por ç‘ është më e keqja, të gjithë mbajmë mend nxitimin, madje nxitimin politik të Prokurorisë për të informuar publikun menjëherë pas çdo proteste që bënte opozita a thua se nuk kishte punë tjetër Prokuroria përveç se të monitoronte veprimet e protestës qytetare dhe të opozitës", tha Rama.

Në deklaratën për mediat, ai shtoi se prej shtatorit deri tani, Shqipëria është goditur nga tërmete, të cilat kanë nxjerrë mungesën e përgjegjësisë dhe veprimeve korrekte në zbatim të ligjit për të garantuar, për të mbrojtur dhe për të siguruar jetën e qytetarëve pikë së pari.

Edhe para dy ditësh, Luan Rama i bëri një seri pyetjesh Prokurorisë dhe nuk heq dorë, pavarësisht heshtjes.

"Zonja Prokurori e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, cili ka qenë grupi hetimor që ka hetuar, që ka evidentuar dhe që ka trajtuar ligjërisht në përputhje me kodin e procedurës penale të Republikë së Shqipërisë gjithçka lidhet me tërmetin e 21 shtatorit?

Zonja Prokurori e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë a keni evidentuar ju gjatë hetimit tuaj të supozuar për sa kohë nuk keni dhënë ndonjë përgjigje që e keni kryer këtë hetim, pra a keni evidentuar ju gjatë hetimit tuaj pas tërmetit të 21 shtatorit objekte, ndërtesa, godina banimi në risk, të dëmtuara në të cilat nuk duhet të kishte më qytetarë që banonin?".

Këto ishin disa nga pyetjet e ngritura nga zëvendëskryetari i LSI-së. Luan Rama i kërkoi publikisht Prokurorisë që ti japë përgjigje opinionit publik shqiptar për ti bindur se po hetohet për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit dhe shkaqet që kanë çuar në këto pasoja kaq të rënda.