Transmetuar më 05-12-2019, 12:57

Deputeti i opozitës, Lefter Maliqi ka shpërthyer ndaj maxhorancës nga foltorja e Kuvendit. Në fjalën e tij Maliqi i ka kërkuar ndërkombëtarëve, SPAK-ut dhe BKH-së që të hetojnë lidhur me pasojat që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit. Sipas Maliqit, në burg duhet të shkojnë oligarkët dhe ata që kanë dhënë lejet e ndërtimit, ndërsa kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen.

“Nëse nesër do të binin në muret e Kuvendit, kot nuk thotë populli është ajo shprehja nuk bie rrufeja në pikë pikë pikë. SPAK dhe BKH duhet të nisë hetimet sepse kjo është vrasje me paramendim. Të lirohen burgjet nga ata që kapen me 30 gramë hashash dhe të mbushen me oligarkët dhe ata që japin lejet e ndërtimit.

Dhe vinë këtu dhe derdhin lot, pse për lot është këtu? Unë vetëm të jap shpirtin, po këta kanë shumë pasuri. Vetë kryeministri ngre fëmijët në ajër, ironi me qytetarët, nuk i jep dorën Gjovalin Gjokës, shtyn zëvëndësin e tij, bën sikur vdes me atë mjekrrën e tij. Nëse ai ka moral, të japë dorëheqjen. Po nuk i ra tërmeti në kokë nuk ikën”, u shpreh Maliqi.

Më tej ai vijoi duke thënë se çon zv.ministrat për të drejtuar shtabet, ministrin e Bujqësisë për të ngritur shtabë. “Pse more ka rënë ndonjë pulari? Ku janë more ata? Ku janë ata që kanë eksperiencë? Tersin e keni këtu mbrapa, atë që e vodhi këtë vend. Nuk e dimë ku i kanë mbyllur pasuritë, në Qipro e në Zvicër. Vijnë këtu dhe bëjnë show. Këta bën tërmet në drejtësi dhe gjykata. Kurrë mos paça të ardhur politike, po jo si këta. Dhe qajnë këta pasi bie tërmet, sepse e quajnë Baba Xhike presidentin kur paralajmëroi me letra nga greku”, shtoi ai./b.l/noa.al/