Transmetuar më 05-12-2019, 10:42

Parlamenti pritet të votojë ditën e sotme për të zgjedhur kryeprokurorin e ri dhe i pari në listë është Olsian Çela. Grupi parlamentar i PS-së është mbledhur para seancës dhe sipas burimeve mësohet se kanë vendosur që në mënyrë unanime të votohet për Çelën.

Për të zgjedhur kryeprokurorin e ri duhen 84-vota. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka përzgjedhura tre kandidatura për këtë pozicion, duke renditur të parin me diferencë pikësh, prokurorin Olsian Çela (459 pikë), ndërsa pas tij renditet kryeprokurorja e përkohshme aktuale, Arta Marku (406 pikë) si dhe Fatjona Memçaj (362 pikë).

KLP-ja ka depozituar pranë Kuvendit tri kandidaturat më 21 nëntor, ndërsa deputetët kanë afat deri më 21 dhjetor për miratimin e njërit prej tyre si prokuror i Përgjithshëm i vendit.

Kuvendi i Shqipërisë pritet të zgjedhë sot Kryeprokurorin e ri të vendit, me një mandat 7-vjeçar. Edhe pse kanë mbetur edhe 2 javë nga skadimi i afatit 1-mujor, Parlamenti e ka përfshirë në agjendën e punimeve të ditës së enjte zgjedhjen e kryeprokurorit./b.l/noa.al/