Transmetuar më 05-12-2019, 07:47

Nga mbledhja e jashtëzakonshme e qeverisë lidhur me situatën pas tërmeteve, pas kthimit nga samiti i NATO-s në Londër, Kryeministri Edi Rama deklaroi se janë 4151 objekte janë të inspektuara, nga të cilat 1125 janë të pabanueshme dhe 59 për tu prishur.

Ai kërkoi që të dalin përpara përgjegjësisë të gjithë ato që kanë shkelur ligjin, duke premtuar shumë shpejt rezutate.

Rama shtoi se nxerrja përpara drejtësisë e abuzuesve nuk bëhet sa hap e mbyll sytë sepse do të shkojnë në gjykatë.

“Dhe KÇK-ja është aty dhe nuk do i japim mundësinë të kapë moton e vet, ‘Kap Çfarë të Kapësh’. Kështu të kemi durim se ky proces kërkon kohë. Hartimi i listës së atyre do të bëjnë riparimet është përfundimtare, ne do të ndajmë pjesën kush do të bëjë dhe kush jo, duke parë gatishmërinë e ndërtuesve dhe duke vlerësuar kushtet e tyre financiare, pasi deklarojnë se kanë falimentuar dhe do të falimentojnë edhe në raport me ligjin nëse do të shmangen”, u shpreh kreu i qeverisë.

Po ashtu ai bëri me dije se dje në samitin e NATO-s janë bërë të gjitha bisedat e nevojshme dhe përsa i përket fazës së parë të gjithë janë gati nga një vlerësim i shpejtë që u bë, ata që janë në nevojë për një çadër dimërore janë të mbuluar, është thjesht çështje kohe për transportin.

“Konferenca e madhe e donatorëve është një sukses sepse krijon premisën për një qasje shtet me shtet në raport me Shqipërinë. Një instrumet ekstra me një potencial të konsiderueshëm. Me Erdogan do të jemi të dielën me konferencën e madhe të investitorëve në Stamboll, të besimit mysliman. Po vijojmë edhe në drejtim të vendeve të tjera të rajonit lindor. Do të kemi një mbështetje të konsiderueshme në raport me nevojën”, deklaroi Rama.

Sipas tij, skenari i përgatitur nga ministria e Financave që praktikisht do të jetë program i veçantë në buxhetin e shtetit është ndërtuar që gjërat të bëhen pavarësisht sa fonde do të vijnë nga jashtë, zëre se nuk do të vijë asnjë lek dhe në proces do të axhustohen numrat nga nevojat. Ai tha se nuk do të preket palca e shtyllës kurrizore të buxhetit. /a.y/noa.al/