Transmetuar më 11-11-2019, 18:12

Pas votimit në Kuvend të dy anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), do të mblidhet nesër për të miratuar metodologjinë për vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm.

Sipas axhendës së kësaj mbledhje, do të bëhet edhe deklarimi e dorëzimi nga ana e anëtarëve të KLP-së i deklaratave, lidhur me pengesat ligjore dhe konfliktin e interesave në kuadër të procesit të vlerësimit/renditjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm.

KLP do të miratojë edhe projektaktin e vlerësimit, në kuadër të rivlerёsimit kalimtar për prokurorin Bilbil Mete; projektvendimin për angazhimin në veprimtari jashtë funksionit (mёsimdhёnie), të prokurorit Bledar Mustafaraj si dhe miratimin e projektaktit për përfundimin e procesit për ngritjen në detyrë të prokurorit Ndini Tavani, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si rezultat i dorëheqjes së paraqitur në Këshill.

Një tjetër pikë e rendit të ditës është miratimi i rregullores “Për rregullat e garantimit të mbrojtjes së detyrueshme dhe caktimin mbi bazën e parimit të rotacionit të avokatit mbrojtës, nga lista e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore, në procesin penal”./NOA.al/