Transmetuar më 11-11-2019, 11:51

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, deputeti i grupit demokrat në parlament, Myslim Murrizi foli për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Murrizi u shpreh se është gati për të plotësuar vakancat, por jo të sillen emra që nuk kanë lidhje me Shkollën e Magjistraturës.

Myslim Murrizi: Kur e keni pasur me kaq ngut dhe që doni për të plotësuar vendet vakante, edhe unë dua që të plotësohen një orë e më parë vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, që të funksionojë SPAK dhe BKH dhe të shohim ca hajdutë prapa hekurave. Asnjë të keqe s’ka! Ose që të korrin jonxhe në Tërbuf, ose të lyejnë kazanët e plehrave, nuk jemi kundër. Por të zgjedhim thotë kushtetuta, jo,  të votojmë. Me të votuar e provuam në 30 qershor.

Më tej deputeti Murrrizi tha se në rastin e Gjykatës Kushtetuese kërkojmë të fusim dreqin brenda për të mos lënë djepin bosh.

Sipas tij kryetari i përkohshëm i KED, Ardian Dvorani është një ish-prokuror komunist dhe një enversit në gen, sepse i dërgon emrat për të votuar në Kuvend në limitet e fundit me firmën e tij.

Myslim Murrizi: Tani na sillni tre emra, një nga këta është i emëruar dhe do të zgjedhim dy nga ata dy të tjerët. Ça do zgjedhim? Ca është kjo ngutje? Shqiptarët kanë një shprehje të urtë popullore "Më mirë djepi bosh sesa djalli brenda". Unë e di që jemi para një fakti të hidhur, se për gati 1 vit e gjysmë nuk funksionon asnjë hallkë e drejtësisë. Kërkojmë të fusim dreqin brenda për të mos lënë djepin bosh.

Kush është ky kryetar KED-i, një ish-prokuror komunist, një enversit në gen. I dërgon emrat për të votuar në Kuvend në limitet e fundit me firmën e tij.

Na keni sjellë tre individë që kanë konkrruar për  në shkollën e magjistraturës dhe asnjë nuk ka fituar. Këta që nuk kanë fituar në Shkollën e Magjistraturës janë të mençëm në Gjykatën Kushtetuese? Kush nuk vlerësohet nga KPK që avash po kthehet në KÇK dhe KPA, në tre kolonat e tij nuk e kalon vettingun. Këta që nuk fitojnë në konkursin e magjistratës vijnë dhe bëhen kupola më e madhe e sistemit të drejtësisë. Këtyre do ti drejtohet Kuvendi, qeveria, individët për çdo konflikt që bie ndesh me Kushtetutën.