Transmetuar më 21-10-2019, 11:54

Ardian Hoxha, i biri i biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, i zhdukur para 24 vitesh në Shqipëri ka zbuluar sot emrin e një personi, që sipas tij ka qenë dëshmitari kryesor dhe i implikur në vrasjen e të atit.

Në një konferencë për mediat, ai theksoi se Budjon Meçe, nuk është më gjallë. Deklarata e dhënë në përkujtim të 24-vjetorit të vrasjes së të atit, akuzoi qeverinë “Rama” dështoi të zbardhte ngjarjen dhe zbuloi edhe bisedat që ka bërë me Saimir Tahirin në kohën që ai ishte në krye të Ministrisë së Brendshme.

“Mandati i dytë i qeverisë Rama dhe asnjë nga këta persona që ishin marrë me çështjen e babait tim nuk e kanë ngritur zërin. Kemi bërë tentativa për të takuar edhe kryeministrin Rama, vetë e kam takuar dy herë. Iu drejtova kryeministrit Rama, fillimisht na u tha se i duhej kohë, që të merret me çështjen. Por, në 2015 prapë e takova dhe i ofrova edhe një zgjidhje, se si ta zgjidhte më shpejt e më lehtë këtë çështje, duke e kapur Budjon Meçen, pasi kisha informacion se gjendej në Shqipëri, më orientoi te Saimir Tahiri, që ishte ministër i Brendshëm dhe më tha t’ia çoja të gjitha informacionet”, u shpreh djali i Remzi Hoxhës.

Më tej ai shtoi se edhe “Saimir Tahirit ja kam nënvizuar që Budion Meçeja ka qenë i implikuar, në email shihet edhe përgjigja e tij, se do ja kalonte policisë, por që nuk është bërë asgjë. Tashmë kam informacionin se Meçeja nuk është i gjallë më. Kemi humbur një rast për të zbardhur drejtësinë. Kjo është shumë zhgënjyese për ne familjarët, pasi kishim shpresa të mëdha se do na ndihmonte të gjenim eshtrat. Kjo tregon se edhe kjo qeveri nuk ka qenë e interesuar të zbardhë rastin e babit tonë. Babi im, si shumë njerëz të tjerë, jetën e ka humbur për kombin shqiptar. Është shumë zhgënjyese për ne dhe shumë familje të tjera”.

Ish-punonjësi i SHIK-ut Budjon Meçe u dënua bashkë me Ilir Kumbaron por në momentin e fundit në gjyq mbërriti një “raport mjekësor” sipas të cilit Budjon Mece ishte “në gjendje koma në një spital privat” në Tiranë. Vendimi për të nuk u aktivizua, ndërkohë që Hoxha tha sot se nuk është më gjallë.