Transmetuar më 19-09-2019, 15:55

Nuk ka mbetur shumë kohë nga afati që dha gjykata, për fatin e Saimir Tahirit.

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka shfaqur në sallën e gjyqit disa faqe të printuara të gazetave dhe portaleve, ku shfaqet me kryeministrin Edi Rama.

Në përgjimet e grupit të Habilajve, njëri prej tyre ka thënë "shefi i madh", duke ngritur dyshimet e organit të akuzës se fjala është për ministrin.

Tahiri, gjatë mbrojtjes së tij ka dhënë arsyet se, pse sipas tij, asnjëri prej tyre, pra as ai dhe as kryeministri nuk janë “shefi i madh”, siç dyshohet në përgjimet e Prokurorisë.

Në kohën kur trafikantët në përgjime flasin për “shefin e madh”, – tha Tahiri në gjyq,- ai vetë ka qenë në Gjermani, në një takim me Komisionerin e BE për Zgjerim, dhe pasi u kthye, – shtoi ai – kishte shkuar në zonën e Dajtit, në një takim me Ramën dhe qeverinë.

“As unë dhe as Rama nuk mund të jemi ‘shefi i madh’, por në raport me politikën, sigurisht që Rama ka qenë shefi im i madh”, ka thënë Tahiri para trupës gjykuese.

Tahiri përçoi edhe disa mesazhe të koduara, që duket se janë për anëtarët e qeverisë, teksa tha se “nuk keni parë gjë akoma”, apo “nuk ka bir k…”.

Seanca e sotme ka ngjallur edhe interesin e mediave të huaja, të cilat kanë ndjekur këtë proces. Të pranishëm ishin dhe disa nga anëtarët e trupit diplomatik.

Tahiri vazhdon të besojë se nuk ka asnjë provë ndaj tij, sikurse shton se gjyqi është i zvarritur dhe i kthyer një farsë.

Ish deputeti socialist tha se shumë politikanë kanë pasur mbi supe akuza shumë më të rënda, madje edhe të provuara dhe nuk janë çuar në gjyq.

Tahiri, si rast të fundit, përmendi pasardhësin e tij në detyrë, Fatmir Xhafajn, për të cilin tha se u provua akuza ndaj të vëllait dhe logjikisht, – shtoi ai, – nuk ka sesi të jetë më e rëndë akuza, ende e paprovuar për të, lidhur me disa kushërinj të largët, gjyqi i të cilëve është mbyllur në Itali.

Tahiri tha se Italia, pas dënimit të Habiljave, e shpalli atë të pafajshëm, kurse në Shqipëri nuk ka asnjë hetim, asnjë provë.

Gjykata e shtyu paradite vendimin për Tahirin, duke u shprehur se do të jepet pas orës 16.00. Prokuroria ka kërkuar 12 vite burg për ish-ministrin, por në rast dënimi, ai do të përfitojë nga gjykimi i shkurtuar.