Transmetuar më 13-07-2019, 18:25

Bie në pranga 26-vjeçari Mahmut Gega, i shumëkërkuar për vrasjen e biznesmenit nga Dibra, Elsi Kosiqi në vitin 2018.

Mësohet se i riu është vënë në pranga nga policia italiane.

Sipas mediave, 26-vjeçari është arrestuar në Macerata të Italisë, ndërsa akuzohet edhe si kreu i një bande grabitësish në vendin fqinj.

Mediat raportojnë se banda e drejtuar prej tij ishte e “specializuar” në vjedhjen e shtëpive.

Mediat shkruajnë më tej se i riu shqiptar ishte një kriminel shumë i rrezikshëm, pasi iu hynte njerëzve nëpër shtëpi, i lidhte dhe i detyronte t’i jepnin paratë dhe bizhuteritë.

Ndersa në Shqipëri mbi të riun rëndon akuza e vrasjes.

Si ka ndodhur vrasja në Shqipëri?

Elsi Kosiqi, babai i tre fëmijëve u ekzekutua pas mesnatës së 20 marsit 2018 në derën e shtëpisë në Dibër.

32-vjeçari kishte shkuar mëngjesin e një dite më parë në Dibër të Madhe, ku kishte qëndruar me disa shqiptarë dhe një shtetas maqedonas gjatë gjithë ditës, deri në mesnatë.

Në orën 1:30 ai është kthyer në banesë, por sapo ka parkuar makinën në derë të shtëpisë është qëlluar me tre plumba nga i riu, që i ka dhënë dorën dhe më pas i ka drejtuar armën.

Ngjarja ka ndodhur brenda oborrit të banesës, ngjitur me verandën e banesës.

Më pas autori është larguar me shpejtësi, duke qenë se shtëpia ndodhet vetëm disa metra larg nga rruga nacionale dhe 500 metra nga kufiri me Maqedoninë.