Transmetuar më 23-05-2019, 09:26

Një operacion i policisë së Vlorës i koduar “Silenciatori” ka vënë në pranga një person, duke sekuestruar dy armë zjarri me silenciator dhe 240 doza kokainë.

Nga informacionet e marra në rrugë operative, mbrëmjen e kësaj të mërkure u bë arrestimi në flagrancë i B. B., 23 vjeç, banues në Vlorë.

I riu u kap në flagrancë në një rrugicë në lagjen “Pavarësia”, me një sasi dozash kokaine, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri pistoleta me silenciator, një sasi tjetër me doza kokaine, gjithsej 240, si dhe një peshore elektronike.

Siç mund të shihni në videon më poshtë dozat e kokainës që mbante në banesë i kishte fshehur mes orizit.

Aktualisht vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë, të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”. /a.y/noa.al