Transmetuar më 21-03-2019, 16:47

Sulmi i sotëm me bojë ndaj tij e ka irrituar së tepërmi Ralf Gjonin me partinë e tij LSI-në, duke nënkuptuar se është ajo që qëndron pas këtij akti.

Në një dalje për mediat pas mbylljes së seancën plenare, Gjoni i cili bëri sot betimin në Kuvend si deputet, tha se nuk e kishte menduar kurrë që partia e tij do të shndërrohej në një parti desintegruese.

“Nuk e kisha imagjinuar asnjëherë në ëndrrat e mia më të largëta që kjo parti mund të shkonte drejt des-integrimit dhe drejt një axhende pa krye të çizmeve, të bojërave dhe të thirrjeve për destabilizim dhe prishje të rendit kushtetues dhe rendit publik.

Axhendë që njerëz të llojit tim nuk e mbështesin dot, jemi për të ardhmen, shpresën, për ata njerëz që deri sot nuk kanë gjetur një përfaqësim dinjitoz në këtë parlament”, u shpreh Gjoni.

Ndërsa Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi thotë se nuk ka dijeni për sulmin me bojë ndaj Ralf Gjonit, i cili pranoi mandatin e deputetit duke dalë kundër vendimit të partisë së drejtuar prej saj.

Ajo tha më herët se lexoi diçka për sulmin e mëngjesit të sotëm, por tha se “Regjisori Edi Rama për të larguar vëmendjen nga protesta pasi mori deputetët, po i kthen në kloun. Ne po të ishte për të sulmuar, do i kishim sulmuar me kohë”. Kryemadhi deklaroi se shpreson që viktimat e radhës të Edi Ramës, mos jenë deputetët e rinj.

Deputeti Ralf Gjoni i sapo betuar në Parlament, u sulmua sot me bojë, pak para mbërritjes në seancën parlamentare. Ai u sulmua në dalje të pallatit të tij nga një djalë i ri, i cili i hedh një shiringë me bojë të kuqe./b.l/noa.al/