Transmetuar më 21-03-2019, 15:18

Është mbyllur protesta e sotme e opozitës e cila nisi në orën 10:00, duke zgjatur rreth 5 orë. Me një fjalë të nënkryetarit të PD-së, Edi Palokës opozita i ka dhënë fund protestës së saj të gjashtë. Ai ka deklaruar se rruga e tyre për rrëzimin e qeverisë nuk ndalet me kaq.

“Beteja jonë nuk ka mbaruar. Jemi nisur për një rrugë që nuk ka fund tjerër veç fitores. Nuk ka asnjë forcë që të mbajë qytetarët për të mos protestuar për të drejtat e tyre.

Nuk do të ketë asnjë ditë stabilitet për këtë qeveri të krimit deri sa të kthehet demokracia në Shqipëri. Ju falënderoj dhe jam i bindur që me forcën tuaj do i shkojmë në fund kësaj rrugë”, tha Paloka, duke iu drejtuar qytetarëve.

Gjatë protestës te Parlamenti u dëgjuan thirrje kundër qeverisë. Protestuesit tentuan të çajnë tre herë kordonin e policisë dhe ia dolën në tentativën e katërt. Megjithatë policia arriti ta neutralizonte shpejt situatën.

Që në nisje u hodhën shashka, tymuese dhe bidona uji në drejtim të policisë. U raportua për dy policë të lënduar nga shashkat.

Në protestën e sotme mungonte kryedemokrati Lulzim Basha, i cili ndodhet në një vizitë në Bruksel, për takime të nivelit të lartë lidhur me situatën në vend./b.l/noa.al/