Transmetuar më 19-03-2019, 15:31

Me natyrën hermetike për të mos e ndarë me të gjithë historinë e dashurisë, në fakt, Zaimina e ka shtuar më tepër kureshtjen e fansave të saj. Por mes të gjitha “mistereve”, kishte diçka që ajo nuk e kishte zbuluar për Klodin, partnerin e saj.

“Jam në një marrëdhënie dhe jam e lumtur”, – thoshte gjithmonë në intervista, por nuk postonte foto me partnerin. Vetëm pak kohë më parë, ishte vetë Zaimina ajo që postoi një foto të tri motrave bashkë.

Në 1-vjetorin e Khloe-s, ajo nuk u tregua më hermetike për të fshehur dy motrat më të mëdha të vogëlushes së saj, përkundrazi. Ishte koha që të gjitha gojët e liga të mbylleshin një herë e mirë dhe pas kësaj, të ishin të gjithë të qetë.

Pasditen e djeshme, nga studio e “Rudina”, në Tv Klan, Zaimina tregoi se ka zgjedhur që ta mbajë larg faktin që bashkëshorti i saj ka edhe dy vajza të tjera veç Khloe-s për një arsye të thjeshtë, por aspak të habitshme për ne: portalet.

“Pjesën e marrëdhënies sime me Klodin e kam pasur të vështirë për ta treguar, sepse unë nuk dua të flas shumë për jetën private. Jo sepse kam diçka për të fshehur, sepse të gjithë ata që më rrethojnë dhe shoqëria ime i kanë ditur gjithmonë gjërat e mia, por për publikun e ruaj shumë këtë pjesë…

Nuk e kam përmendur më herët nëpër intervista që Klodi ka edhe dy vajza të tjera (pra ne kemi tre bukuroshe në shtëpi) vetëm për punën e portaleve. Të gjithë e dimë, mjafton vetëm një titull për t’i bërë gjërat të marrin tjetër kuptim. Unë nuk kam dashur të prek asnjë nga familjarët e mi dhe as ata të Klodit”, – rrëfeu Zaimina duke shtuar se për të është shumë e rëndësishme që familja të jetë në harmoni.

Ne kemi një raport shumë të mirë dhe jam shumë e lumtur që dy vajzat e Klodit kanë lindur dhe jetojnë në një vend jashtë Shqipërisë, rriten me një mentalitet tjetër, janë të bekuara, sepse janë edukuar me një frymë tjetër nga e ëma e tyre, por edhe nga Klodi, natyrisht. Unë jam e lumtur që familja ime ka harmoni, pastaj pjesa e njerëzve që kanë dëshirë të vjellin vrer apo të shpikin histori, le të vazhdojnë…