Transmetuar më 18-03-2019, 23:48

Ajo për të cilën viktima Jurgen Kurti njihet në Tiranë është për jetën e tij luksoze, pushimet përrallore, netët nëpër clube dhe makinat e shtrenjta dhe këtë e tregojnë edhe fotografitë e publikuara në rrjetet sociale.

Fotot më të fundit të tij në muajt e kaluar ishin nga Honolulu në Hauai, në Kolumbi, në Las Vegas të SHBA-ve, etj.

Si pasojë e të shtënave, ka mbetur i vdekur 26-vjeçari Jurgen Kurti, i njohur në Tiranë edhe si menaxheri i VIP-ave.

Kurtit iu organizua atentat teksa po kthehej në shtëpinë e tij pranë Stadiumit “Dinamo” në Tiranë, nga të paktën dy persona.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:20. Ai u qëllua me disa plumba pistolete nga një makinë në lëvizje.

Autorët kanë përfituar nga errësira duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Ai ka marrë 3 plumba që i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.

Policia ndodhet në vendngjarje ndërsa janë ngritur pika kontrolli në kryeqytet, për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.

Jurgen Kurti është arrestuar disa herë së pari për vrasjen e babait të tij, por u la i lirë për mungesë provash.

Më pas ai u përshi edhe në një vrasje në Durrës, por edhe këtu u lirua për të njëjtën arsye.

Nuk dihen ende rrethanat e krimit apo autorët, por policia ndodhet në vendin e ngjarjes.  /a.k/noa.al/