Transmetuar më 04-03-2019, 23:27

Udhëtime të kryera nga i akuzuari Moisi Habilaj, kanë qenë të shoqëruara dhe nga babai i Saimir Tahirit, u pretendua sonte në emisionin Opinion.

Gazetari në studio Basir Çollaku ka treguar udhëtimin që ka patur Moisi Habilaj, babai i ish-ministrit dhe bashkëshortja e tij drejt Italisë.

“Unë këtu kam dokumente që tregojnë udhëtimin e Moisi Habilajt me babain e Tahirit dhe bashkëshorten e tij Fatlinda Tahiri drejt Italisë. Nuk janë shënuar në sistemin TIMS, por janë në listat e udhëtimit të kompanisë, Alitalia. Pasaportat e tyre janë sekuestruar nga prokuroria dhe aty janë gjetur vulat. Në Rinas nuk kanë asnjë vulë, por vetëm vula e Italisë. Kjo është bërë për të mos faktuar udhëtimet. Ka dhe udhëtime të tjera”, – tha ai.

Nga studio e emisionit Opinion ai tha se akuzat për Tahirin janë të njëjta me ato të Klement Balilit.

Sipas tij personat e tjerë që janë akuzuar për këto vepra penale janë arrestuar, ndërsa Tahiri po hetohet në gjendje të lirë.

Sakaq, ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në një lidhje telefonike në Opinion pati një përplasje të ashpër me gazetarin  Basir Çollaku, i cili ka treguar udhëtimin që ka patur Moisi Habilaj, babai i ish-ministrit dhe bashkëshortja e tij drejt Italisë.

Saimir Tahiri u shpreh: Kjo e gjitha është një maskardë. Një proces i komanduar politik, kaq e thjeshtë. Në këtë histori, nuk ka një provë prokurorie që Saimir Tahiri ka bërë këtë gjë, për një vepër penale unë sot nuk e kam. Unë kam zgjedhur t’i bie gjërave drejt dhe ballit si e meriton. Unë kam vendosur të jem ky që jam. Janë disa letër porosi që nuk thuhet se Saimir Tahiri ka bërë këtë gjë. Kam udhëtuar me skaf me familjen time e do udhëtoj sa të më dojë qejfi. Do ta bëjë e nuk kam kryer vepër penale. Unë di ca kam bërë vetë dhe di që kam qenë ministër dhe jam sjellë në mënyrë shembullore. Kam udhëtuar në çdo cep të Shqipërisë dhe do e bëjë të njëjtën gjë. Ai Basir është një kokërr idoti.

Blendi Fevziu: Kjo nuk është etike zoti Tahiri…

Saimir Tahiri: Ai gënjen publikisht mo. Gruaja ime, babai im nuk kanë vulën. Le ti nxjerrin dhe një herë letrat. I kanë dhënë faqet gabim atij Fevzi. Thuaji atij injorantit ore… Ti thuash idiot nuk është fyerje për të.

***

Saimir Tahiri, ish ministër i Brendshëm, përfundoi i pandehur në Gjykatën e Krimeve të Rënda së bashku me ish-zyrtarët e policisë Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode.

Në emisionin “Opinion” u tha sonte se mbi Tahirin rëndojnë tre akuza dhe në dosjen e dorëzuar në gjykatë janë 30 fashikuj.

Vendimi që ka paraqitur zoti Tahiri të drejtësisë italiane nuk është marrë parasysh nga prokuroria.

Sipas të dhënave në emision, në pjesën kryesore të dosjes, prokuroria nuk sjell ndonjë gjë të re, ndërsa sqaron dhe përgjimet për blerjen e byzylykëve nga Moisi Habilaj.