Transmetuar më 14-01-2019, 19:56

Kryeministri Edi Rama, kritikon raportin e publikuar sot nga radio Zëri i Amerikës, media zyrtare e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Rama vlerëson se kemi të bëjmë me një publikim të mbushur me përgojime të papranueshme.

“Erdhi dita që Zëri i Amerikës të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike”, – thotë z.Rama në një mesazh pblik enkas për specialen e publikuar sonte nga VOA.

Për herë të parë në Shqipëri, – vijon kryeministri, – organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie!”.

Reagimi i z.Rama vjen pak orë pasi VOA publikoi një raport ku sugjeron se PS është përfshirë në një skandal punësimesh në burgje.

VOA ndalet te rasti i shefes së kabinetit qeveritar, Vali Bizhga të cilën e shigjeton se ka ndërhyrë për të punësuar një vajzë.

Vetë Bizhga pohon se ishte përballur me kërkesë nga motrat e misionit të Nënë Terezës për të punësuar një vajzë së cilës sapo i kishte vdekur i ati, punonjës në burgje.

Duke u ndalur në raportin e VOA, z.Rama ka dhe një sugjerim: “Shkoni verifikoni dokumentet e konkursit dhe ballafaqojini rezultatet me rekrutimet, pastaj hidhni baltë sa të doni!”.

Kurse e cilëson raportin e VOA si të ulët: “U kujtuat për emërimet partiake në administratë, pas 30 vjetësh dhe duke sulmuar ultësisht, e aspak gazetarisht, pikërisht ata që po bëjnë çmos t’i vënë fre zullumit”. /noa.al/