Transmetuar më 14-01-2019, 19:12

Pas publikimit të përgjimeve nga “Zëri i Amerikës”, se punësimet në Burgje bëheshin me ndërhyrje politike, ka reaguar Partia Demokratike.

Deputeti Ervin Salianji tha për mediat se me këto të dhëna “faktohet një skandal i përmasave shtetërore, ku Kryeministri ndërhyn drejtpërdrejt për prishjen e konkurseve të administratës publike, ku kryeministri në mënyrë kriminale ndërhyn nga zyrat e tij për të larguar më të aftët dhe për të punësuar militantët partiakë apo njerëzit e kriminalizuar”.

Sipas PD-së, arrestimi i Kryeministrit është i pashmangshëm, por që për Salianjin Rama po mbron veten.

“Tani nuk ka më asnjë dyshim se është Edi Rama ai që po bllokon hetimin e dosjes 339. Qëllimi i kryeministrit nuk është të mbrojë vetëm Vangjush Dakon, por të mbrojë veten e tij nga arrestimi i pashmangshëm, që do të vinte nga hetimi i pavarur i dosjes 339”, tha Salianji.

Ai përfundoi duke thënë se “zbulimi i plotë i dosjes 339 është thelbësor për të provuar se Edi Rama ka ngritur një shtet mafioz, ku gara në zgjedhje, gara për vendet e punës, gara për tenderat janë fasadë e një pushteti të korruptuar dhe të inkriminuar”. /k.k/noa.al/