Transmetuar më 14-01-2019, 12:51

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se ka vendosur që të jetë ai në postin e ministrit të Jashtëm, pasi Presidenti nuk e dekretoi shkarkimin e Ditmir Bushatit.

Në një deklaratë që shpërndau zyra e kryeministrit, citohet z.Rama të thotë se këtë detyrë do ta marrë “de jure”:

“Presidenti s’e ka ç’dekretuar Ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues. Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë që vjen shumë shpejt, do të jem de jure në këtë rol sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit” njoftoi z. Rama.

Deklarata e tij të bën të mendosh që “de fakto” ministër i Jashtëm do të jetë i përzgjedhuri i tij Gent Cakaj.

Z.Meta nuk e pranoi kërkesën e Ramës për ta shkarkuar Bushatin.

Po ashtu z.Meta refuzoi dhe kandidatin e Ramës për MPJ, Gent Caka, 28 vjeç, shqiptar i Kosovës.

Vendimi i Ramës është deri diku i ngjashëm me atë të Aleksis Cipras në Greqi.

Pak muaj më parë, MPJ Nikos Kotzias dha dorëheqjen dhe Cipras vendosi të marrë edhe postin e MPJ, duke deklaruar se do ta mbajë atë përkohësisht derisa të përmbyllet marrëveshja e Prespës me Maqedoninë.

Momentalisht Cipras po përballet me rrezikun për rënie qeverie pasi aleati ANEL tërhoqi ministrat e vet. Këtë javë, Cipras do t’i nënshtrohet votëbesimit në Parlament.

/noa.al/