Transmetuar më 13-01-2019, 11:49

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, thotë se në përpjekjen e pandërprerë për vendosjen dhe mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike, policia shqiptare ka paguar një çmim të madh përmes angazhimit, shërbimit, sakrificës, por edhe gjakut të anëtarëve të saj.

Duke folur ditën e sotme në aktivitetin e mbajtur me ratin e 106-vjetorit të Policisë së Shtetit, se Policia e Shtetit ka për detyrë të garantojë kushtet bazë të sigurisë, për të mundësuar zhvillimin e gjithanshëm të vendit dhe të shoqërisë tonë, të cilat janë në një fazë të rëndësishme të historisë, e cila, po të duhej të sintetizohej me një fjalë të vetme, do të mund të quhej integrim. Integrim rajonal, integrim europian.

“Qeveria e Shqipërisë, Kryeministri Rama dhe unë si ministër i Brendshëm do të vijojmë më konsekuencë mbështetjen e gjithanshme për të siguruar që Policia e Shtetit të mund të dominojë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin, që Forca e Ligjit të jetë e vetmja forcë, që ushtrohet në vendin tonë dhe që vendi të përmbushë me sukses objektivat në fushën e integrimit. Përpjekjet për integrim do të ndjekin një qasje të dyfishtë: integrim rajonal dhe integrim evropian”, u shpreh Lleshaj.

Ai tha se në funksion të integrimit rajonal, do të përshpejtojmë projektin për krijimin e një zone të lëvizjes së lirë, sipas standardeve ‘Schengen’ mes Shqipërisë dhe Kosovës, e cila shpresojmë të zgjerohet shpejt edhe me vende të tjera të rajonit.

Sipas tij, për shkak të natyrës së ndërlikuar të misionit që kryen, jo rrallë herë, Policia e Shtetit është bërë shënjestër e sulmeve të ndryshme.

Ministri shtoi se sigurisht, ajo do të jetë në shënjestër të sulmeve të krimit, për të cilat është e përgatitur dhe e gatshme të përballet dhe të fitojë.

“Por ka edhe një kategori tjetër sulmesh, kryesisht politike, për të cilat Policia e Shtetit nuk është dhe as nuk ka ndërmend të përgatitet për mbrojtje. Policia duhet të jetë e rreshtuar në front përballë me krimin, ndërsa krahët dhe shpinën e saj duhet dhe do ta mbrojë politika e përgjegjshme, Qeveria, institucionet dhe mbi të gjitha qytetarët, aleatët e saj të përhershëm”, tha në mbyllje ministri i Brendshëm. /a.y/noa.al