Transmetuar më 21-12-2018, 12:33

Dalin detaje të tjera nga hetimet lidhur me bandën e Habilajve, hetim i cili zhvillohet paralelisht mes Shqipërisë dhe Italisë.

Një nga blerësit e drogës që vinte nga Shqipëria, italiani Antonio Riela, ka dëshmuar në polici gjithë sa dinte. Ai ka thënë se kishte rënë dakord për çmimin e mallit, të cilin në vijim e shiste tek njerëz të besuar në Katania.

Rezulton se ai ka pasur lidhje të ngushtë me Moisi Habilaj, i cili njihet edhe si kushëriri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Dëshmia e Rielës është publikuar vetëm së fundmi në mediat italiane ku thuhet se, “Moisiu më siguroi duke më thënë se ai ishte i mbrojtur dhe një person i rëndësishëm në Shqipëri, i cili e lejonte që të eksportonte ngarkesa të mëdha të marijuanës. Ai e ka lejuar që të eksportojë këto ngarkesa të mëdha. Ma tha dhe emrin e tij, por nuk e mban mend”.

47-vjeçari italian ka treguar se e ka shoqëruar Moisiun tek një tregtar pranë gjykatës së Katania, ku ka blerë bizhuteri të cilat do të niseshin në Shqipëri, ngjarje e ndodhur në dhjetor të vitit 2013.

Pak ditë më parë prokuroria italiane e Catanias mbylli hetimet për bandën e Habilajve, duke dhënë pretencën edhe për të pandehurit, për shkak të gjykimit të zhvilluar me procedurë të shkurtuar.

Për Moisi Habilaj u kërkua dënimi më i lartë prej 18 vitesh e 8 muaj burg. Për drejtësinë italiane, Moisi Habilaj cilësohet si organizatori dhe drejtuesi i një karteli të specializuar për trafikimin e marijuanës nga Shqipëria.

Ndërkohë për anëtarët e tjerë të bandës u kërkuan dënime më të ulëta.

Për Meridian Sulaj u kërkuan 12 vite e katër muaj burg, ndërsa për Fatmir Minaj lirimi i tij. Nazer Seiti, i konsideruar si financieri i grupit, rrezikon gjashtë bitme burg.

Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, banda e Habilajve, kishte mbrojtje në Shqipëri nga drejtues të policisë dhe trafikun e kryente nëpërmjet rrugëve detare.

Ndërkohë për Antonio Riela, prokuroria kërkoi 15 vite burg, ndërsa Angelo Busaça rrezikon tetë vite burg.

Gianluca Spampinato, rrezikon 10 vite e katër muaj burg, Gianluca Passavanti, katër vite dhe 20 mijë euro gjobë.

Ndërsa për William Patanè, Fabio Spampinato, Carmelo Bertolini, Enrico Maria Giaquinta, Massimiliano Brundo, Antonio Greco, Giuseppe Greco dhe Rosario Giuliano u kërkua dënimi me dy vite burg, katër muaj dhe 6 mijë euro gjobë.

Grupi kriminal u shkatërrua më 14 tetor të vitit 2017 dhe paralelisht me autoritetet italiane, nisën hetimet në Shqipëri edhe për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. /a.y/noa.al