Transmetuar më 19-11-2018, 14:36

Kryedemokrati Lulzim Basha u takua me fermerët në zonën e Poshnjës së Beratit, ku  ndau shqetësimin sipas tij, të braktisjes nga qeveria.

Ai iu tha se rruga e zgjidhjes, është nëpërmjet alternativës së Partisë Demokratike dhe zgjedhjes me votë të lirë të një qeverie që nuk është e kapur nga krimi dhe oligarkët.

Mungesa e subvencioneve, çmimi i lartë i naftës dhe mungesa e infrastrukturës ishin tre shqetësimet kryesore të fermerëve, për të cilat Basha tha se zgjidhja është dhënë në programin e Partisë Demokratike.

Basha deklaroi se, nuk ka asnjë vend të Europës që bujqësia të funksionojë pa subvencione dhe as Ballkan.

“Ne s’themi se premtojmë mrekulli, por të paktën subvencione sa jep Kosova dhe Maqedonia do të japim. 150 milionë euro në vit janë të domosdoshme që të paktën të ulin kostot e mekanikës apo, në rastin tuaj të plasmasit të serave, të pesticideve, të imputeve, fidanëve etj”, u shpreh Basha.

Kreu i opozitës shtoi se qeveria punon për një grusht klientësh të saj dhe taksat e shqiptarëve shkojnë për të pasuruar këtë pakicë të korruptuar, duke ndarë me ta 2.2 miliardë euro.

“Me 2.2 miliardë euro, ne mund të arrinim fare lehtësisht të shpërndanim 150 milionë euro në vit për fermerët. Me 2.2 miliardë euro ne mund të arrinim të rrisnim pensionet 30 për qind për gjithë shqiptarët.  Në vend që ndodhin këto dhe të ju prekin dhe të shpërndahet leku tek të gjithë shqiptarët, 10 veta marrin 2.2 miliardë euro dhe pjesa tjetër e popullit mbetet me gisht në gojë”, tha Basha.

Çmimi i rritur i naftës ishte një nga problemet kryesore të fermerëve, por kreu i opozitës i njohu ata me zgjidhjen që ofron Partia Demokratike.

“Absolutisht për të gjithë vendin, hapi i parë do të jetë heqja e taksës Rama mbi naftën. Në momentin e parë që do të aplikojmë këtë masë, nafta do të jetë minimalisht 300 lekë më e lirë dhe pastaj do të ecim me hapa të tjerë me naftën bujqësore. Por, hapi i parë për të gjithë ekonominë do të jetë ulja e çmimit të naftës me 300 lekë”, u shpreh Lulzim Basha.

Që ky plan të konkretizohet, kreu i opozitës u tregua i hapur me fermerët në Berat për pengesën që ndodhet përpara, pengesë e cila duhet larguar nëpërmjet bashkimit.

Sipas tij, pa ndryshuar gjendja politike, pa pasur një qeveri që e ka të lidhur fatin me qytetarët dhe jo me banditët dhe kriminelët, nuk duhet pritur asnjë ndryshim.

“Një shprehje kam dëgjuar këto 3-4 javë që kam lëvizur: Na ka shkuar në palcë! Nuk ka pse të na shkojë në palcë. Ne jemi shumica, ju jeni shumica. Ejani ta marrim fatin tonë në duart tona!”, tha Lulzim Basha. /a.y/noa.al