Transmetuar më 19-11-2018, 10:58
Ervis Martinaj

Ervis Martinaj, i arrestuar pas masakrës me një të vrarë dhe dy të plagosur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, do të mbetet në burg në vijim të hetimeve ndaj tij.

Kjo pasi Gjykata e Apelit, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për burg pa afat.

Gjithçka pasi ndaj Martinaj ishte vendosur masa e sigurisë “arrest me burg” për 30 ditë.

Kësisoj Apeli rrëzoi vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës, e cila vetëm pak ditë më parë zgjati me 30 ditë të tjera masën e sigurisë ndaj tij.

Gjithçka pasi në celularin e tij, janë gjetur prova me rëndësi hetimore për hetimet.

Kjo pasi me anë të celularit të tij dhe aplikacionit “Telegram”, ai ka dërguar mesazh, ku njoftonte që të vinin disa persona “menjëherë të armatosur në lokalin e Redi Popeskut”.

Në lokalin në rrugën “Ibrahim Rugova” në ish-Bllok, u plagosën me armë zjarri Ervis Martinaj, 36 vjeç dhe Eljon Hato, 28 vjeç, si dhe mbeti i vrarë Fabian Gaxha, 28 vjeç.

Uniformat blu kanë bërë arrestimin në flagrancë të dy të plagosurve dhe shpalljen në kërkim tre të tjerë.

Gjithashtu është shpallur në kërkim Ervin Mata, 31 vjeç, Fabio Allushi, 42 vjeç dhe Merviol Billo, 41 vjeç, banues në Tiranë.

Mata është i dashuri i këngëtares Elvana Gjata dhe konflikti dyshohet se ka lindur pikërisht pas një ngacmimi ndaj këngëtares, por nuk përjashtohet as pista e pazareve të drogës.

Ervis Martinaj, njihet si biznesmen që vepronte në fushën e basteve sportive. /a.y/noa.al