Transmetuar më 14-11-2018, 17:02

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me banorët e zonës së ‘Astirit’, banesat e të cilëve preken nga ndërtimi i ‘Unazës së Re’.

Lideri demokrat shkoi pranë banorëve ku zhvilloi me ta një bashkëbisedim, ndërsa nuk kurseu sulmet për qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës.

Gjatë fjalës së tij para mediave, Basha tha se gjatë këtyre ditëve pas hetimeve që kreu opozita u konstatuan disa shkelje ligjore. Ai tha se projekti ishte i paligjshëm, ndërsa shtoi se nuk ka pasur garë për të.

“Pas një hetimi disaditor disa fakte dolën në dritë. Projekti është i paligjshëm. Një inxhinieri i ka lindur në zemër të bëjë dhuratë një projekt të kësaj unaze dhe e ka paraqitur me një projekt si autostradë dhe jo si projekt i një rruge qyteti. E dyta është skema korruptive pa ko konkurrencë. 40 mln euro pa garë. Projekti është i pangishëm, pasi që të krijohet një projekt i tillë ai duhet të miratohet nga pushteti vendor”, u shpreh Basha.

Kryedemokrati Basha, teksa u ngacmua nga gazetarët për deklaratën e kryebashkiakut Erion Veliaj se deputetët e PD ishin shpellarë, ai tha se; “S’merrem me një njeri që e ka shpirtin më te zi se plehrat e Sharrës”.

Kujtojmë se prej ditësh banorët protestojnë dhe në shenjë kundërshtie ndaj vendimit të qeverisë kanë bllokuar edhe rrugën.

Ata kërkojnë që të dëmshpërblehen 100%, ndërsa shprehen të bindur se kësaj çështje do t’i shkojnë deri në fund.