Transmetuar më 09-10-2018, 11:31

Kreu i qeverisë Edi Rama, komunikoi ndryshim ligjor për të dënuarit apo dyshuarit dhe të përfshirët në krim të organizuar, të cilët do i nënshtrohen një regjimi të rreptë izolimi dhe monitorimi, duke ju ndërprerë gjithë komunikimin e brendshëm dhe të jashtëm për gjithë kohën e paraburgimit apo vuajtjes së dënimit.

Ai bëri me dije se këta lloj të dënuarish do të kenë kontakte shumë të kufizuara me gjithë qeniet njerëzore.

“Kemi vendosur ngritjen e një salle operative non stop me kamera në burgjet e sigurisë së lartë që nga ‘313’ edhe në godinën e operacionit ‘Forca e Ligjit’. Do të ngrihet një sallë monitorimi non stop për të gjitha burgjet në Shqipëri. Kjo e çon sigurinë e burgjeve në një nivel të panjohur më parë. Kjo e çon luftën kundër korrupsionit kronik në burgje në një nivel të padëgjuar më parë, për shmangien fut e nxirr celularë dhe garanton se burgjet janë vende ku vuhet dënimi dhe jo ku komandohet bota e krimit”, u shpreh Rama.

Në vijim të konferencës për media nga Kryeministria ditën e sotme, ai deklaroi se ndryshon ligji për lojërat e fatit.

Kryeministri bëri me dije se nga 30 dhjetori do të pushojnë të funksionuari të gjitha kazinotë elektronike dhe bastet sportive dhe çdo lloj basti për çdo garë në pistë, me kuaj, qenë apo skllavë të tjerë faunës shqiptare.

Gjithashtu deklaroi se po punohet për rregullimin e kësaj veprimtarie në distancë, nëpërmjet internetit, dhe se brenda 30 dhjetorit do ketë gati një regjim të ri.

Rama tha se nga 1 janari nuk do ngrihet më asnjë qepen për baste dhe kazino elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë kilometër katrorë të Republikës së Shqipërisë.

Ai iu bëri thirrje mediave që të heqin të gjitha reklamat e lojërave të fatit dhe basteve, ndërsa për faqet online, deklaroi se do të mbyllen brenda 24 orëve nëse do kenë të tilla.

Gjithashtu Rama deklaroi se do të ketë ndryshim në Kodin Penal “për të fortët”, për të cilët  tha se përmes një trajtimi ekzemplar bëjnë presion ndaj Policisë së Shtetit dhe karshillëk ndaj ligjit.

“Së shpejti këtë paketë do ta ndajmë me opozitën, duke shpresuar kthimin e saj nga bota e krimeve në përballje me realitetin”, tha kreu i mazhorancës. /a.y/noa.al