Transmetuar më 19-09-2018, 12:38
I plagosuri

Dy djem xhaxhallarësh u aksidentuan mëngjesin e sotëm, në fshatin Aranitas, të Mallakastrës, ku njëri humbi jetën dhe tjetri mbeti i plagosur.

27-vjeçari Pajtim Zotaj, banues në Ballsh, duke drejtuar mjetin tip “Opel” humbi kontrollin dhe doli nga rruga, ku për pasojë gjeti vdekjen.

Por nga përplasja, i plagosur mbeti edhe djali i xhaxhait të tij, pasagjer në mjet, 31-vjeçari Agim Zotaj.

I riu ndodhet në spitalin e Fierit dhe nuk e ka mësuar ende se kushëriri ka vdekur.

Duke folur për mediat ditën e sotme, Agimi thotë se Pajtimi është mirë dhe ndodhet në dhomën tjetër.

Madje ai shton se ishte pak me shpejtësi dhe humbi kontrollin duke dalë nga rruga.

“Është mirë, është në dhomën tjetër”, thotë ai, duke treguar se vetë ka dhimbje pasi makina u trondit shumë.

“Unë kisha hallin e kushëririt, ai hallin tim. Kushëriri ishte pak me shpejtësi, por jo shumë. Nuk u përplasëm me asnjë makinë, por dolëm nga rruga. Unë u përplasa në trup, kurse ai tjetri nuke di çfarë ka. Kushëriri është në dhomën tjetër, është më mirë. Do iknim në Ballsh. Por për momentin kushëriri e humbi dhe makina doli nga rruga”, tregon 31-vjeçari. /a.y/noa.al