Transmetuar më 19-09-2018, 10:34

Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar kërkesën e njërit nga të arrestuarit për bllokimin e 3.4 milionë eurove në dy makinat “Toyota Yaris” në Durrës.

Klevis Lika, 21 vjeç, lindur në Bulqizë, banues në Tiranë, do të vijojë të qëndrojë në qeli në vijim të hetimeve.

Ai e kërkoi lirinë duke thënë se dëshiron që të vazhdojë shkollën, më konkretisht gjimnazin, të cilin e ka ndërprerë në mes.

Kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg”, u bë nëpërmjet avokatit Saimir Visha.

I riu u arrestua pasi shoqëronte ngarkesën e automjeteve ku u gjetën dhe sekuestruan 3.4 milionë euro.

Krahas tij u bë arrestimi në flagrancë i Agim Çeka, 61 vjeç, lindur në Luz i Madh, banues në Durrës; Edi Lika (Cani), 41 vjeç, lindur në Dibër, banues në Tiranë, i biri Klevis Lika, 21 vjeç, lindur në Bulqizë, banues në Tiranë dhe Alban Mollaymeri, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim kushërinjtë Alfred Vladi dhe Elvis Vladi, si porositës të ngarkesës me sasinë e parave, të cilat u zbuluan në portin e Durrësit. /a.y/noa.al