Transmetuar më 19-09-2018, 10:24

Reperi i njohur Noizy, emri i vërtetë i të cilit është Rigels Rajku, është gjetur fajtor dhe është dënuar me dy mijë euro gjobë për incidentin e ndodhur në 13 shtator të vitit 2016, gjatë të cilit mbeti i plagosur.

Procesi gjyqësor ka përfunduar ditën e sotme, ku i dyshuari për plagosjen e Noizyt, Albert Krasniqi u dënua me gjashtë muaj burg, si dhe ju dha mundësia për ta konvertuar dënimin në para.

Gjatë shpalljes së vendimit as Noizy dhe as Krasniqi nuk kanë qenë të pranishëm.

Ngjarja për të cilën akuzohen ndodhi para parkingut të hotelit “Swiss Diamond”, në mes të Prishtinës.

Pasditen e 13 shtatorit të dy viteve më parë, ndodhi përplasja mes dy prej të reperëve, OTR-së nga Shqipëria dhe BabaStars nga Kosova.

Sipas aktakuzës, Noizy, në ditën e ngjarjes i është sulur fizikisht Albert Krasniqit dhe Ylber Abdullahut (Cozman), pasi Krasniqi dhe Abdullahu ishin afruar me makinë në parking, çka çoi në degradimin e sherrit. /a.y/noa.al