Transmetuar më 18-09-2018, 17:11

Gjykata e Strasburgut ka hedhur poshtë padinë për ish-deputetin Mark Frroku, i cili u ankua për arrestimin e tij në vitet 2015 dhe 2016 nga autoritetet shqiptare.

Gjykata e Strasburgut ka publikuar sot një dokument ku shprehet se “nuk ka asnjë shkelje të nenit 5 të Konventës”.

Në vendim thuhet se në vitin 2015, Frroku anëtar i Parlamentit në atë kohë, u ngritën tre grupe procedimesh penale kundër tij, duke përfshirë atë të vrasjes me paramendim, pastrimit të parave dhe deklaratave të rreme.

Ai u vu nën arrest shtëpiak nga 26 marsi i vitit 2015, ndërsa Parlamenti autorizoi arrestimin e tij më 2 prill të atij viti.

Në procedurat gjyqësore të mëvonshme, Gjykata Supreme e vërtetoi ligjshmërinë e vendosjes në paraburgim, duke gjetur se ekziston rreziku i manipulimit të provave.

Frroku dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese kundër arrestimit, ankesë e cila u hodh poshtë po atë vit. /k.k/noa.al/