Transmetuar më 17-09-2018, 07:43

Ditën e sotme, e hënë, 17 shtator, nis viti i ri shkollor, ku janë 480 mijë nxënës ata që do të ulen në bankat e shkollës.

Me këtë rast ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lindita Nikolla, përmes një videomesazhi në ERTV, thotë se reforma në arsim vijon në mënyrë sistemike dhe se kryefjalë është përmirësimi i cilësisë së shërbimit për të gjithë nxënësit.

“Vëmendja jonë për ju për të mësuar një kurikulë të re, të modernizuar nga kopshti deri në gjimnaze. Sot ju mësoni me tekste të reja me standarde ndërkombëtare me një program shumë herë më të lehtësuar, e jo duke mësuar faqe tekstesh të shumta e përmendësh. Mësuesi vijnë përmes meritës së tyre, falë portalit mësues për Shqipërinë, ashtu si dhe mësuesit që janë në sistem që trajnohen sipas nevojës”, shprehet ministrja.

Ajo shton se falë reformës në gjimnaze, sot gjimnazi është i unifikuar dhe i orientuar drejt karrierës.

“Këtë vit do të jenë 39 000 maturantë që do të mbyllin njëherë e për gjithnjë hendekun e krijuar mes gjimnazit-universitetit dhe tregut të punës. Ky vit shkollor sërish me klasa sportive që jeta juaj të jetë më e shëndetshme. Falë investime me standarde kemi 26 shkolla të reja për 10 000 nxënës. Shkollat janë kthyer në qendra komunitare. Pra jemi më pranë një shkolle që ju i drejtoheni me gëzim. Një shkolle që i përket shekullit të 21 që formon në dije dhe mendim ashtu si dhe shkollat e tjera perëndimore”, thotë më tej Nikolla.

Po ashtu ministrja shprehet se reforma në mësuesi është thelbësore, dhe se nga ky vit prioritet i qeverisë, vëmendja do të jetë ër të përmirësuar kushtet, rritur pagat dhe cilësinë e mësuesve.

Ministrja bën me dije se Qeveria do të mundësojë financimin e studentëve më të mirë për t’ju drejtuar mësuesisë dhe se emërimet jo më politike, por vetëm përmes portalit mësues për Shqipërinë.

“Ky është viti i parë i teksteve falas për nxënësit deri në klasën e katërt, 190 mijë nxënës pra, 610 milionë lekë të dedikuara nga taksat tuaj, që u kthehen përmes librave. Fëmijët me aftësi të kufizuar janë fokusin tonë, këtë vit 700 mësues që do trajnohen në mënyrë permanente për t’ju ardhur në ndihmë kësaj kategorie”, thotë Nikolla.

Sipas saj, sot është sukses nisma 3 lëndë në 6 orë dhe kjo shprehet ajo do të thotë, më shumë kohë për të ndenjur me familjarët, çanta më të lehta dhe kohë më shumë për t’ju dhënë shoqërisë.

“Do të vijojmë me 50 shkolla në 12 qarqe të vendit bëjmë detyrat e shtëpisë, duke kaluar barrën e mësimeve nga ju te shkolla për ti përgatitur mësimet për nesër. Marrim më shumë përgjegjësi e për sigurinë në shkolla, duke dyfishuar numrin e oficerëve të sigurisë. Qendra e shërbimeve arsimore do të kthehet në modelin e një qendre ekselente shërbimesh në arsim, ashtu si dhe struktura e re arsimore që do të ngrihet këtë vit do të mundësojë shërbime për ju në të gjitha qarqet e vendit. Vëmendja jonë është te ju prindër, nxënës e mësues, e do vijojmë të flasim me shifra dhe fakte për ju, shpesh herë në dukje të vogla, por dita ditës më të vërteta dhe të me një punë të palodhur dedikuar ju, të vendosur për të çuar deri ën fund reformën në arsim”, shprehet në mbyllje të mesazhit ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. /a.y/noa.al