Transmetuar më 16-09-2018, 12:27

Për afro një orë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me kreun e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi.

Pas paralajmërimit të para pak ditëve, tashmë zyrtarisht PDIU ka dalë nga koalicioni me mazhorancën, duke kaluar në opozitë.

Në fjalën e tij pas takimit të mesditës së kësaj të diele, Basha i uroi mirëseardhjen PDIU-së në frontin e opozitës së bashkuar.

“Opozita është në frontin më të gjerë, më e angazhuar dhe më e fortë. Bisedimet me PDIU-në përfunduan me sukses, për t’iu shërbyer qytetarëve. PD dhe opozita e bashkuar kanë sot një mision jetik për çdo familje shqiptare, ti japin fund bashkëqeverisjes me krimin. Të largojmë aleancën e pushtetit me krimin”, u shpreh Basha.

Madje kryedemokrati shtoi se PD ka qenë gjithmonë e angazhuar për të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë.

Nga ana e tij Idrizi deklaroi se PDIU ka qenë opozitë, por se sot është pjesë e opozitës së bashkuar.

Sipas tij, ka ardhur koha që opozita të ketë alternativën e saj.

“Çështja çame është përdorur deri sot. Të bashkohemi për t’i dhënë një zgjidhje të shpejtë kësaj çështje, për nderimin e viktimave të një genocidi të tmerrshëm”, u shpreh Idrizi. /a.y/noa.al