Transmetuar më 15-09-2018, 12:24
Alibeaj në daljen për mediat

Partia Demokratike ka vijuar edhe sot me akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj që sipas selisë blu kanë përdorur pushtetin politik për të marrë nën kontroll industrinë e bixhozit.

Deputeti i PD Enkeleid Alibeaj, deklaroi se pasuria që Rama ndan me krimin e tremb atë për vettingun në politikë.

“Shqiptarët duhet ta dinë se gjatë qeverisë së Edi Ramës numri i kompanive të licensuara për bastet u përqendrua në 3 duar.  Shqiptarët duhet të dinë se 1 nga 3 kompanitë më të fuqishme të basteve në Shqipëri zotërohet nga Agron Xhafaj, vëllai i Ministrit të Brendshëm, i dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në krim të organizuar”, deklaroi Alibeaj.

Ai tha më tej se Rama i dha vëllait të tij konçesionin e monitorimin online të lojërave të fatit. Po ashtu, sipas deputetit demokrat, ministri Xhafaj bllokoi ligjin e mbylljes së lojërave të fatit.

“Edi Rama, me firmën e tij, i dha të vëllait koncesionin korruptiv prej miliona eurosh të monitorimit të sistemit online të pikave të basteve, të cila, gjatë qeverisë së Edi Ramës, u katërfishuan që fitimet e të vëllait të jenë edhe më të mëdha.  Fatmir Xhafaj bllokoi për 8 muaj ligjin e mbylljes së lojrave të fatit në qytete dhe pastaj, bashkë me “Hakmarrjen për Drejtësi” me lidhje direkte me Olsi Ramën, e ndryshuan ligjin, duke dëshmuar sesi funksionon në praktikë lidhja mes pushtetit dhe krimit të organizuar, që kontrollon lojërat e fatit”, vijoi Alibeaj.

Ai tha se kompanitë e basteve të lidhura me pushtetin kanë shumëfishuar fitimet gjatë këtyre viteve të fundit. Kjo sipas tij falë favorizimit nga qeveria që e përqendroi aktivitetin në vetëm tre kompani.

“Sot, ne po publikojmë të dhëna të tjera që tregojnë sesi kompania e basteve, prapa të cilës qëndron vëllai i Ministrit të Brendshëm ka rritur fitimin në mënyrë të frikshme në 4 vitet e pushtetit të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës. Nga 1 milionë dollarë ne vitin 2014 të ardhurat e kompanisë së basteve të vëllait të Ministrit të Brendshëm janë dhjetëfishuar në 4 vjet, duke shkuar në 10 milionë dollarë në vitin 2017”, vijoi Alibeaj./a.m./noa.al/