Transmetuar më 15-09-2018, 09:57
Ambasadori Donald Lu

Ambasadori amerikan Donald Lu, do të mbahet mend si diplomati që mesazhet e forta për politikën shqiptare i jepte “shqip” si me gjuhën, por edhe në mënyrë figurative siç e përkufizojmë shpesh ne shqiptarët kur flasim “shqip”.

Ai nuk nguroi të përmendë emra politikanësh të lidhur me krimin si dhe personazhe të botës së krimit.

E sa herë e bënte këtë, ai kritikonte troç dhe në gjuhën tonë politikën dhe organet e drejtësisë.

Pas, takimeve të lamtumirës, ai ka dhënë edhe një mesazh në faqen zyrtare të ambasadës teksa po përgatitet të lërë Shqipërinë.

“Sot është #DitaNdërkombëtareEDemokracisë. Çfarë do të thotë demokraci për ju?”, shkruan ambasadori teksa jep edhe përkufizimin e tij për demokracinë:

“Demokracia është diçka që na bashkon të gjithë ne, amerikanë dhe shqiptarë. Është e rrëmujshme. Është e komplikuar. Dhe shpesh është e mbushur me konflikte dhe polemika por, në fund, demokracia na garanton liritë që i konsiderojmë kaq të vyera”./a.m./noa.al/