Transmetuar më 11-09-2018, 20:04

Amerikanët po përkujtojnë sot 17 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, ku humbën jetën rreth 3000 njerëz në Nju Jork, Virxhinia dhe Pensilvani.

Presidenti Donald Trump po merr pjesë në një ceremoni në memorialin e 11 shtatorit në Shanksville të Pensilvanisë, pranë vendit ku u rrëzua avioni i kompanisë United Airlines me numër fluturimi 93 i rrëmbyer nga terroristët e lidhur me al-Kaidën.

Avioni u rrëzua edhe pse udhëtarët brenda tij arritën të rimarrin kontrollin nga terroristët.

Në deklaratën e përvitshme presidenciale që e shpall 11 shtatorin si Dita e Patriotëve, Presidenti Trump tha se "aktet djallëzore" nuk e mbytën dot frymën dhe as përkushtimin e vendit ndaj lirisë.

"Jemi mbledhur sot, – tha ai, – për të risjellë në mend një të vërtetë të përjetshme: se kur Amerika është e bashkuar, asnjë forcë mbi tokë nuk mund të na ndajë, vlerat tona janë të qëndrueshme, populli ynë lulëzon, vendi ynë triumfon dhe kujtimi për njerëzit tanë të zemrës nuk shuhet”.

Në Pentagon, shumë pranë Uashingtonit, Zëvendëspresidenti Mike Pence dhe sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis morën pjesë në një ceremoni për nder të familjarëve të atyre që humbën jetën kur një aeroplan i rrëmbyer u rrëzua në ndërtesë në vitin 2001.

Në Nju Jork, qindra të mbijetuar dhe pjesëtarë të familjeve të të vrarëve u mblodhën në Kuotën Zero, ku ngriheshin Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë që u rrëzuan nga avionët e rrëmbyer. Gjatë një ceremonie solemne u lexuan me zë të lartë emrat e viktimave.

Rrëmbimet u kryen nga 19 njerëz të lidhur me al-Kaidën. Ky ishte sulmi më vdekjeprurës në tokën amerikane që nga bombardimi japonez në Pearl Harbor në vitin 1944.

Ngjarjet e 11 shtatorit bënë që presidenti i atëhershëm Xhorxh W. Bush të shpallte luftë kundër terrorizmit dhe të ndërhynte në Afganistan.

Pothuajse dy dekada më vonë, përvjetori mbetet një kujtim i dhimbshëm për familjet e atyre që kanë humbur jetën.

I biri i Mary Fetchetir, Bradi, punonte ne kullën jugore në Qendrës Botërore të Tregtisë, kur u përplas avioni i parë.

"Djali im e mori burrin në telefon për t’i thënë se është mirë dhe për t’i kujtuar se është në kullën e dytë", i tha Fetchet Zërit të Amerikës.

Pasi burri i saj e thirri atë në punë për t’i treguar se Bradi ishte gjallë, Fetchet hyri në ndërtesën fqinje. Ndërsa ajo po hynte, pa avionin e dytë që goditi kullën tjetër në televizion.

"Natyrisht unë po shpresoja, duke u përpjekur të llogaris se ku ishte ai në ndërtesë, dhe nëse kishte në fakt kohë ndërmjet telefonatës me burrin dhe përplasjes së avionit, të jetë nën pikën goditëse të tij", tha ajo.

Zonja Fetchet thotë se kishte shkuar në shtëpi me shpresë për një telefonatë nga i biri, që nuk telefonoi kurrë.