Transmetuar më 25-07-2018, 19:14

Ambasada e Shqipërisë në Athinë ka konfirmuar se deri tani gjashtë shqiptarë kanë mbetur të plagosur nga zjarri masiv që përfshiu vendin fqinj.

Kanë qenë përfaqësues të ambasadës tonë që vizituan sot zonat e prekura, dhe kanë konstatuar se në zonën e Matit janë  plagosur lehtë dy shqiptarë, të cilët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

"Përsa i përket pjesës tjetër të komunitetit raportohet se janë djegur banesat ku jetonin disa prej tyre, si dhe disa automjete personale. Banorët e prekur janë transferuar përkohësisht në një kamp pushimi të zonës i cili është kthyer në strehë banimi të përkohshme", thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Po ashtu sot u identifikua një tjetër shqiptar i plagosur që i përket minoritetet grek. Ambasada thotë se ai jetonte në zonën Rafinës dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin Evangelismos.

Tre të lënduar të tjerë u konfirmuan një ditë më pare, dhe janë një grua nga Berati dhe dy fëmijë nga Fieri, nga e njëjta familje, 10 dhe 13 vjeç, për fat të mirë jashtë rrezikut për jetën.

Ambasada shqiptare thotë së është në ndjekje të situatës duke komunikuar me qytetarë, anëtarë të komunitetit në zonat e prekura të rajonit të Atikës, si dhe me autoritetet kompetente të emergjencës së qeverisë greke.

Ndërsa për të gjithë shqiptarët që janë prekur nga zjarret ambasada ka vënë në dispozicion  në nr. +306941658183. /k.k/noa.al/