Transmetuar më 21-07-2018, 15:48

Prokuroria për Krime të rënda ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, ku kërkon sërish masën e sigurisë arrest me burg për ish-ministrin, Saimir Tahiri.

Ndërkohë, Gjykata e Lartë ka regjistruar në shqyrtim ankimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Sipas njoftimit zyrtar, regjistrimi i rekursit është bërë më datën 18 korrik 2018, ku prokuroria kërkon "Caktimin e masës së sigurimit personal "arrest në burg" për personin nën hetim, Saimir Tahiri.

Rekursi në Gjykatën e Lartë, u paraqit nga prokuroria pasi Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, hoqi masën e arrestit në shtëpi ndaj ish-ministrit të Brendshëm që hetohet për trafik droge në bashkëpunim me grupin e vëllezërve Habilaj nga Vlora dhe për shpërdorim detyre.

Masa e arrestit me burg ishte kërkuar nga Prokuroria edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë për ish-ministrin Tahiri, por togat e zeza, më 12 maj të këtij viti, refuzuan burgosjen e ish-ministrit duke e lënë atë në arrest shtëpie.

Ish-zyrtari qëndroi në këtë masë vetëm për dy javë, pasi Gjykata e Apelit e shfuqizoi atë duke e lënë të lirë Saimir Tahirin pa masë sigurimi.

Deri më tani, Tahiri i ka fituar betejat me drejtësinë. /k.k/noa.al/