Transmetuar më 20-07-2018, 13:07

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është rikthyer sërish çështjes së Teatrit Kombëtar.

Ai ka thirrur për një bashkëbisedim në selinë blu gazetarët ku ka dhënë disa informacione që sipas tij vërtetojnë abuzimet e kryeministrit Rama me atë që e quan afera e teatrit në të cilën sipas tij shefi i qeverisë fiton 205 milionë euro.

“Edi Rama dhe lakejtë e tij janë sulur për të shkulur kompleksin e Teatrin me të gjithë historinë e tij. Tentativa për këto Kulla është marrë para 20 vitesh kur Edi Rama ishte ministër Kulture, se duhet t’i themi 18-vjeçarëve që Edi Rama ka 20 vite në politikë.  Nuk ka hequr dorë, dhe prej ditës së parë në karrigen e kryeministrit, ka hedhur hapat për realizimin e ëndrrës së tij. Është projekt mafioz se fiton para, do fitohen 205 milionë euro”, tha Basha.

Ai u bëri thirrje edhe ndërkombëtarëve të mos qëndrojnë të heshtur për këtë çështje. Duke risjellë në vëmendje projektligjin e miratuar nga parlamenti, Basha tha se janë shkelur të gjitha parimet.

“Në vendet demokratike, ligjet respektojnë 3 parime të përgjithshme: të sigurisë, barazisë dhe universalitetit. Kjo do të thotë që asnjë ligj s’mund të ndërtohet në mënyrë të atillë që trajton një instrument të veçantë, se na çon drejt arbitraritetit.

KE, BE, OSBE, Komisioni i Venecias e vlerësojnë parimin e gjeneralitetit të ligjit, se s’mund të bësh ligj për një person të veçantë. Normat janë të përgjithshme. Shkelja e këtij parimi duhet të ishte këmbanë alarmi dhe unë habitem se si nuk kemi një reagim nga Këshilli i Europës. Por kemi një reagim nga një institucion i rëndësishëm i trashëgimive kulturore Europa Nostra. Ajo e konsideron Teatrin pjesë e trashëgimisë kulturore europiane”, deklaroi Basha./a.m./noa.al/