Transmetuar më 17-07-2018, 08:41

Autoritetet federale amerikane kanë arrestuar një grua ruse për spiunazh. E arrestuara është Maria Butina, 29 vjeçe, e cila punonte për një përfaqësues ligjor rus në Kremlin, me synim që të infiltrohej në organizatat politike.

Butina rezulton se ka lidhje me Nra (National Rifle Association), lobin e fuqishëm amerikan të armëve.

Sipas hetuesve ajo po zhvillonte lidhje me amerikanë dhe po infiltrohej në organizata që kanë influencë në politikën amerikane, me synim që të çonte përpara interesat rus.

Butina u arrestua këtë të hënë, ndërsa seanca e parë ndaj saj do të mbahet të mërkurën.

“29-vjeçarja punonte për një përfaqësues të nivelit të lartë në qeverinë ruse, i cili më parë ka qenë pjesë e nivelit të lartë të Bankës Qendrore të Rusisë”, deklaroi departamenti amerikan i Drejtësisë, në qëndrimin zyrtar.

Po ashtu po hetohet për të zbuluar nëse Nra, ka financuar në mënyrë të fshehtë fushatën elektorale të Presidentit amerikan, Donald Trump. /a.y/noa.al