Transmetuar më 14-07-2018, 16:45

Gjendet trupi i groposur i një personi në Fushë Krujë.

Burimet nga policia bëjnë me dije se trupi i pajetë i përket 34-vjeçarit të zhdukur në Laç që prej datës 9 Korrik, Elion Hysës.

Trupi i 34-vjeçarit nga Kurbini, u gjet pranë varrezave të fshatit Shelqet, Komuna Nikel.

Trupi është gjetur i groposur dhe dyshohet se është vrarë.

Megjithatë trupi i gjetur do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.

Elion Hysa, njihet edhe me emrat Keisi dhe Elvis Hysa.

Ai ishte denoncuar i zhdukur nga familjarët e tij.

Xhaxhai i tij i kishte shkruajtur ish-kryeministrit Sali Berisha ku akuzonte policinë se nuk ka bërë asgjë për të gjetur 34-vjeçarin.

“Zoti Berisha, jam një qytetar nga Laçi me emrin Asllan Hysa. kam një problem të jashtëzakonshëm. Më datë 5, ora 09:30 ka humbur kontaktet djali i vëllait Keisi Eljon Hysa në zonën e Niklës në Fushë Krujë. Dyshoj se edhe mund të jetë vrarë dhe policia nuk po reagon fare që nga data 6 Korrik që është bërë denoncimi në komisariatin e Laçit”, shkruante xhaxhai i të riut.

Ndërkaq pas publikimit të këtij mesazhi, kishte ardhur edhe reagimi i Policisë, ku sqaronte se Hysa është në kërkim nga policia pasi është i dyshuar për një vrasje.

Për të gjykata kishte caktuar masën arrest me burg për një vrasje të ndodhur 3 vjet më parë, në 10 korrik 2015 në qytetin e Sarandës.

Ai rezulton i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në vrasjen e Edmond Theodhorit, pronar i një lavazhi në këtë qytet.

Mes viktimës, 32-vjeç dhe autorëve ka pasur një grindje për shkaqe banale.

Një ditë më pas, 6 persona e kanë rrethuar Edmond Theodhorin dhe pasi i kanë shkatërruar makinën me leva dhe shkopinj bejzbolli e kanë qëlluar për vdekje me një pistoletë.

Tre persona u arrestuan një ditë pas (Ledi (Enkelejd) Ben (Saba) Hysa, 25-vjeç, banues në Laç, Ylli Qemal Reçi, 23-vjeç, banues në Gjorm-Krujë dhe Ajman Agron Zyba, 21-vjeç, banues në Laç), ndërsa 3 të tjerë u shpallën në kërkim, mes të cilëve edhe Elion Hysa.

Grupi hetimor me ekspertë të fushës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë po punojnë për sqarimin e të gjithë rrethanave të ngjarjes.

Për shkak të hetimeve nuk jepen më shumë detaje./a.k/noa.al/