Transmetuar më 28-06-2018, 17:29

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është kërcënuar me jetë nëse do të nënshkruajë ndonjë marrëveshje me Prishtinën.

Lajmi mësohet përmes një letre që deputeti i kuvendit serb, Slavisha Ristiç, i ka dërguar presidentit rus Vladimir Putin, në të cilën e kërcënon me vrasje presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, nëse tenton të arrijë paqe dhe të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën.

Në letrën dërguar Presidentit rus Putin ai pretendon se “nëse Vuçiç tenton të arrijë paqe dhe të nënshkruajë ndonjë marrëveshje me Prishtinën do të përfundojë si ish-kryeministri i vrarë serb, Zoran Gjingjiç”.

Ristiç kujton në letër se serbët “në historinë e marrëdhënieve serbo-ruse, gjithmonë u janë ankuar sundimtarëve rusë për shumë armiq të serbëve”, dhe shton se ata tani për herë të parë këtë duhet ta bëjnë për shkak të pushtetarëve serbë.

Ai tregon se Presidenti i Republikës së Serbisë po përgatitet ta nënshkruajë marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Prishtinën, dhe e paralajmëron Vuçiçin për “fatin tragjik të kryeministrit të ndjerë të Serbisë Zoran Gjingjiç”, e që ky fat mund ta gjejë edhe atë.

“Gati të gjitha mediat të cilat e përkrahin regjimin në Serbi e theksojnë dashurinë e Aleksandar Vuçiçit ndaj Rusisë”, thotë Ristiç në letrën dërguar Putinit, të cilën e kanë transmetuar disa portale serbe, dhe pretendon se “Vuçiçi krenohet me atë se deri tani është takuar 13 herë me Putinin”. /k.k/noa.al/