Transmetuar më 24-06-2018, 21:07

Rreth 5 milione euro dyshohet se janë sekuestruar në dy makinë "Toyota Yaris",  në Portin e Durrësit.

Sasia e parave është zbuluar pas raportit të paraqitur nga Interpol Roma.

Fillimisht u dyshua për 1.5 mln euro ne nje automjet të vendosur në një transportues  me nëntë makina të tjera, ku dyshohet se do dërgoheshin në Kosovë.

Por pas verifikimeve është zbuluar dhe një makinë e dytë.

Makinat Toyota kishe mbërritur në port nga Italia rreth orës 10 të paradites dhe ishin ngarkuar në një trajler me tragetin e Linjës Ankona – Bari.

Paraprakisht dyshohet se sasia e parave mund të jetë siguruar nga aktivitete kriminale.

Ora News mëson se preja e kartëmonedhave është 20-she, 50-she dhe 100-she. Menjëherë pas kësaj policia ka ndaluar katër persona mes tyre dhe shoferin e kamionit që shërbente për transportin e automjeteve, Edi Lika, i cili është pronari i kompanisë së transportit të automjeteve.

Mësohet se në polici Lika ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni mbi shumën e parave, pasi ai kryen vetëm transportin.

Autoritetet tona në bashkëpunim edhe me Interpolin po përpiqen të gjejnë gjenezën nga është nisur Toyota dhe ku do të përfundonte me qëllim për të kapur dhe identifikuar personat që janë organizatorët e transportit të parave.

Megjithatë pritet që shuma e eurove të jetë edhe më e madhe pas tashmë ekspertët janë ende duke i numëruar.