Transmetuar më 24-06-2018, 19:43

Ditën e sotme në Durrës është zhvilluar një superoperacion, ku u sekuestruan 4-5 milionë euro në 2 makina ‘Toyota Yaris’.

Deri tani janë identifikuar 4 persona të përfshirë, ndërsa dy janë arrestuar, njëri prej tyre është shoferi i kamionit që solli makinat ku u gjetën eurot.

Report Tv ka siguruar edhe dëshminë e parë të Likës, që ka deklaruar se nuk ka dijeni për shumën rekord që ndodhej në makinat që po transportonte, ndërsa ishte kontraktuar për transportin nga një biznesmen.

“Nuk kam asnjë lidhje dhe dijeni për paratë, kam kryer thjeshtë transportin. Ishim kontraktuar nga biznesmenë kundrejt pagesës për të bërë transportin”-ka deklaruar Lika.

Ndërsa ende mbetet mister se cili ka qenë biznesmeni që ka porositur 9 makinat, 7 prej të cilave ‘Toyota Yaris’. Policia po vijon hetimet për të zbuluar biznesmenin.

Ndërkohë që makinat dhe shuma e eurove janë sekuestruar nga prokuroria për llogari të hetimeve. 

Operacioni është realizuar nga autoritetet shqiptare në bashkëpunim me palën italiane.