Transmetuar më 21-06-2018, 21:24

Një grup që merrej me vjedhjen e banesave në Spanjë është goditur nga autoritetet vendase.

Operacioni, i koduar “Habitat Butrinto”, çoi në shkatërrimin e kësaj bande të dhunshme, të specializuar në kryerjen e plaçkitjeve me dhunë të shtëpive të banuara. Hetimet filluan majin e kaluar, pas një grabitjeje të dhunshme me armë zjarri.

Gjatë grabitjes, brenda ishin pronarët, dy fëmijët e tyre dhe punëtorët. Pas përplasjes me armë, u plagos pronari i banesës, ndërsa autorët për disa minuta grabitën paratë dhe bizhuteritë.

Nga hetimet janë identifikuar disa nga autorët e krimit, të cilët ishin përfshirë edhe në katër sulme të tjera në Madrid dhe Barcelonë.

Banda përbëhej nga katër shtetas me origjinë shqiptare, dhe karakteristikë e tyre ishte dhuna gjatë misioneve për grabitje.

Fillimisht, ata zhvillonin kontrolle paraprake dhe përzgjidhnin shtëpitë që ishin më të përshtatshme për t’u grabitur.

Prioriteti i tyre ishin kasafortat, ndërsa nuk hezitonin të përdornin dhunën kundër banorëve në rast se ata ishin brenda.

Të ndaluarit janë të moshës mes 24 dhe 33 vjeç, me një të kaluar kriminale.

Mësohet se tre prej tyre janë lënë në burg. /k.k/noa.al/