Transmetuar më 14-06-2018, 13:27

Ditën e sotme është zhvilluar seanca gjyqësore në ngarkim të Izet Haxhisë, person i dënuar me 25 vite burg, për vrasjen e ish-deputetit demokrat Azem Hajdari.

Por gjatë saj, Haxhiaj deklaroi se është ndjerë i rrezikuar për jetën e tij dhe se nuk është njoftuar në kohë për dënimin.

Teksa prokurori i çështjes publikoi dokumentet ku bazohet akuza ndaj tij, Izet Haxhia i është kthyer me sulm.

Ai e ka akuzuar prokurorin se i shërben Sali Berishës dhe se qëndrimet janë tendencioze.

“Kam marrëveshje me Turqinë për ekstradimin. Kam dijeni për shumë krime që janë bërë në atë kohë, prandaj nuk më është bërë ekstradimi që kur e kam kërkuar dhe Berisha ka qenë në pushtet”, deklaroi Haxhia.

Ai hoqi paralele me kreun e bandës së Lushnjes, Aldo Baren, duke thënë se u ekstradua brenda dy vitesh, por se ai kishte që në vitin 2005 që priste të sillej në Shqipëri. Po ashtu ai kërkoi ballafaqim me Sali Berishën, duke thënë se është dëshmitarë i çështjeve që "i djegin".

Seanca e kësaj të marte ndaj Haxhisë, u bë për të vendosur afatin e animimit, ku i dënuari apelon dënimin.

Ish-truproja e Sali Berishës, u ekstradua nën masa të rrepta sigurie rreth një muaj më parë.

Ai është dënuar me 25 vite burg, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Hajdarit.

Haxhia nuk e ka pranuar kurrë një akuzë të tillë, ndërkohë që prej kohësh kishte kërkuar ekstradimin, në mënyrë që të përballej me drejtësinë shqiptare. Madje ai u dorëzua në autoritetet turke, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Izet Haxhia prej kohësh ka hedhur akuza të ashpra edhe në drejtim të ish-shefit të tij, liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha për rolin që sipas tij ka luajtur në ekzekutimin e Azemit.

Haxhia ka paralajmëruar se posedon disa prova të forta që sipas tij nuk janë përdorur në procesin gjyqësor të përfunduar vite më parë.

Azem Hajdari u ekzekutua me armë zjarri më 12 shtator të vitit 1998, fare pranë selisë së Partisë Demokratike. /a.y/noa.al