Transmetuar më 13-06-2018, 14:42

Në Tiranë kanë mbërritur disa biçikleta që i sjell një kompani private italiane, e cila në fakt i ka marrë nga një kompani tjetër, kineze, e cila është dhe prodhuesi i parë.

Që këtu ka lindur pyetja e disa qytetarëve që flasin me noa.al, përse Bashkia Tiranë i kontraktoi italianët si dorë e dytë kur mund t’i merrte kinezët si dorë e parë, ndoshta pa rritur kostot?

Gjithsesi, ajo që po ashtu pyesin qytetarët që denoncojnë shqetësimin e tyre pranë redaksisë së noa.al, është se mos vallë edhe kjo kompani që ka ardhur në Shqipëri, po bën si rëndom të tjerat, rrjepjen e radhës që i bëhet shqiptarëve.

Çmimi që kanë vendosur, është 39 lekë për 20 minuta.

Kurse në Firence të Italisë, çmimi ishte 30 cent për 30 minuta [link]

Është e qartë se ne në Shqipëri po e paguajmë më shtrenjtë.

E kjo po ndodh në kushtet kur Firence është një ndër qytetet më të pasura dhe me nivel më të lartë jetese në Itali, kurse ne ende jetojmë në një vend të varfër ku shumë njerëz mezi nxjerrin shpenzimet e muajit.

E pikërisht kjo kategori e njerëzve më së shumti detyrohet të përdorë biçikletat.

Por ajo, po detyrohet që ta paguajë biçikletën e kësaj kompanie private, shumë më shtrenjtë se ç’e paguajnë italianët në Firence.

Sakaq, nuk ka asnjë informacion publik dhënë mediave, se çfarë roli ka bashkia Tiranë, sa para përfiton dhe sa paguan, si është bërë kontrata dhe cilat janë kompanitë që përfshihen dhe termat e kësaj kontrate nëse ekziston një e tillë.

Nga ana tjetër, spikat një deklaratë e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Ai kur shpalli bujshëm [link] ardhjen e këtyre biçikletave, tha se ato kushtojnë më lirë se një biletë autobusi që kushton 40 lekë.

E vërteta është se kushtojnë si “bileta”, një lek më lirë, dhe 39 lekë një lëvizje me biçikletë për 20 minuta.

Por a është më lirë?

Ja një llogaritje e thjeshtë.

Në kushtet kur autobusi të merr 40 lekë për një udhëtim pa limit orar brenda një itinerari, “Mobike” të merr 39 lekë për vetëm 20 minuta. E nëse itinerari yt zgjat qoftë dhe 20 minuta e një sekondë, ti do të paguash dyfishin edhe pse nuk i bën 40 minuta të plota.

Kjo është një tjetër padrejtësi që i bëhet qytetarëve.

Ata nuk kanë pse të paguajnë vlerën e 20 minutave kur konsumojnë edhe vetëm 1 minutë prej kësaj kohe, por përpjesëtimin e vlerës së minutazhit të plotë me atë të përdorur realisht.

Se sa do të ndryshojë kjo situatë, kjo mbetet të shihet.

Ajo që shërben si paralajmërim, është fakti që pohojnë shumë qytetarë se fillimisht janë duke i provuar dhe shuar kuriozitetin e më pas, do të vendosin nëse ia vlen të shpenzojnë më shtrenjtë se në Firence apo jo. /noa.al/

Përditësim: Në një informacion në mediat italiane, [link] raportohet se së fundi çmimi është rritur nga 30 në 50 cent.

Në Firence, janë shpallur dhe tarifa të tjera si 5 euro në muaj, 10 euro për 90 ditë, 50 euro për 6 muaj dhe 199 euro për një vit. Edhe nga këto çmime shihen të jenë ndjeshëm më të ulëta se ato që po ofrohen në Shqipëri. /noa.al/