Transmetuar më 24-05-2018, 10:17

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tha se Parlamenti ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet dhe se ti kërkosh mazhorancës të respektojë rregulloren, është si ti kërkosh krimit të organizuar të bëjë rend dhe siguri.

Në fjalën e mbajtur sot në Kuvend, ai deklaroi se mazhoranca dhe qeveria e zhytur në krim, kërkojnë të japin një fasadë pseudo-politike.

“E vërteta nuk është kjo, e vërteta është se Kushtetuta ka rënë, kodi penal ka rënë, ligji antimafia ka rënë. Sa kohë në ato karrige janë ulur Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama, të cilët janë zbuluar para mbarë shqiptarëve si hartuesit dhe zbatuesit e një skenari kriminal, i cili ka për qëllim të mbulojë veprimtarinë kriminale të Agron Geron Xhafaj”, u shpreh Basha.

Ai tha se ministri i Brendshëm, ka për qëllim të mbrojë komplotin antiligjor dhe antikushtetuese, për të shkatërruar provat, për të intimiduar, blerë, kërcënuar dëshmitarët dhe denoncuesit.

Kryedemokrati deklaroi se shqiptarët e kanë parë me zë dhe figurë gjithçka dhe se po bëhet e pamundura që Xhafaj ti sigurohet karrigia e ministrit të Brendshëm, duke përdorur prokurorinë, për të mbrojtur aktivitetin e vëllait të tij. /a.y/noa.al